COVID-19 ndez sërish debatet, Edvin Prifti sulmon Erion Dashon: “Ti je zëdhënës i komplotit botëror”

Debati mbi menaxhimin e pandemisë së COVID-19 është rikthyer edhe mes mjekëve shqiptarë, pas zhvillimeve të fundit në Shtetet e Bashkuara dhe diskutimeve rreth rolit të Anthony Fauci. Në qendër të përplasjes janë mjekët Erion Dasho dhe Edvin Prifti, të cilët kanë shkëmbyer akuza të forta në rrjetet sociale.
Erion Dasho publikoi një reagim ku argumenton se gjatë pandemisë pati mjekë që, sipas tij, përhapën teori të pambështetura shkencërisht dhe kontribuuan në konfuzionin publik. Ai thekson se institucionet shëndetësore kishin detyrimin të kufizonin përhapjen e informacioneve që mund të rrezikonin shëndetin e qytetarëve.
“Mjekët konspiracionistë u kundërshtuan sepse, në emër të lirisë së fjalës, përhapën ide që cenuan sigurinë e pacientëve dhe vendosën në rrezik jetën e miliona qytetarëve”, shkruan Dasho, duke shtuar se kjo nuk përbën censurë, por mbrojtje të shëndetit publik.
Reagimi i tij nxiti kundërpërgjigjen e kardiokirurgut Edvin Prifti, i cili e akuzoi Dashon se është bërë “zëdhënës i komplotit botëror”. Prifti pretendon se mijëra mjekë në mbarë botën kanë kundërshtuar mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe se debatet shkencore janë shtypur.
“Ti tashmë je një nga zëdhënësit e konspiracionit më të madh botëror. Nuk ka pasur teori konspiracioni, por mbi 80 mijë mjekë firmëtarë në të gjithë botën që demaskuan atë që e konsiderojnë një mashtrim global”, shkruan Prifti, duke mbrojtur qëndrimet e tij gjatë pandemisë.
Në një përgjigje të dytë, Dasho sqaroi se statusi i tij nuk kishte si objekt personal Edvin Priftin, por fenomenin e promovimit të teorive sipas të cilave mjekë të ndryshëm janë eliminuar për shkak të qëndrimeve të tyre.
“Unë këtë nuk e pranoj dot dhe më vjen çudi se si ti bëhesh promovues i kësaj ideje”, iu drejtua Dasho Priftit, duke e ftuar njëkohësisht në një debat publik mbi këto çështje.
Nga ana tjetër, Prifti këmbënguli se nuk do të tërhiqet nga bindjet e tij, duke deklaruar se nuk do të lejojë askënd të vërë në dyshim, sipas tij, “të vërtetat” që ai mbron.
Në debat u përfshi edhe mjeku Tritan Kalo, i cili reagoi shkurt në rrjetet sociale me një mesazh kritik:
“Vetëmartirizimi për protagonizëm është jo vetëm dëmprurës për individin mjek, por edhe për atë pjesë të shoqërisë që i beson atij.”
Përplasja mes mjekëve vjen në një kohë kur diskutimet mbi menaxhimin e pandemisë dhe masat e ndërmarra gjatë COVID-19 vazhdojnë të mbeten objekt debatesh në vende të ndryshme.




