Tragjedi në Itali, 21-vjeçari shqiptar vret me thikë nënën 39-vjeçare dhe më pas dorëzohet në polici

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një 21-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij, 39-vjeçaren Meleqe Lusha, në banesën e tyre familjare në rrugën Tagliata, në qytetin e Chiari-t, në provincën e Brescias.
Pas ngjarjes, i riu është larguar nga banesa, ndërsa më vonë është paraqitur vetë në kazermën e Karabinierëve në Cremona, ku ka rrëfyer atë që kishte ndodhur.
Sipas mediave italiane, 21-vjeçari është identifikuar si Eduart Xhani, i lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.
Pas informacionit të dhënë prej tij, karabinierët kanë shkuar në banesën familjare, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 39-vjeçares.
Hetimet për zbardhjen e krimit
Në vendngjarje kanë mbërritur specialistët e Seksionit të Hetimeve Shkencore të Komandës Provinciale të Karabinierëve të Brescias, të cilët kanë kryer ekspertizat dhe kanë mbledhur provat materiale.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe për të zbardhur motivet që çuan në këtë krim të rëndë.
Deri më tani, autoritetet italiane nuk kanë bërë publike detaje të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa hetimet vijojnë.




