Ndreca: Toni Gogu takoi Veliajn në orën 22:30 në burg, qëndruan për një orë e gjysmë në zyrën e drejtorit

Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka reaguar për mediat pas shtyrjes së seancës gjyqësore, ku Veliaj nuk ishte i pranishëm.
Ndreca ka komentuar edhe takimin mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe Erion Veliajt në ambientet e burgut, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën dhe orarin e zhvillimit të këtij takimi.
Sipas avokatit, ministri Gogu ka shkuar në burg rreth orës 22:30 dhe ka qëndruar për rreth një orë e gjysmë me Veliajn, në zyrën e drejtorit të institucionit.
Ndreca theksoi se Veliaj nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë për takim me ministrin. Ai shtoi se, nëse qëllimi i vizitës ishte inspektimi i kushteve në burg, ministri duhej ta kryente këtë detyrë zyrtarisht dhe i shoqëruar nga inspektorët përkatës.
“Nuk ka kërkesë nga Veliaj për ta takuar Gogun. Ai nuk mund të shkojë në orën 22:30 të darkës. Nëse do të shkonte për zbatimin e detyrës, duhet të shkonte në mënyrë zyrtare, jo të takonte për një orë e gjysmë një person nën hetim në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka qëllim të inspektojë kushtet në burg, duhet të shkojë me inspektorë”, u shpreh Ndreca.




