Zgjerohen vatrat e zjarrit në Mallakastër, Ismailaj: Shuarja e pamundur, ndërhyrja nga ajri rifillon nesër në mëngjes

Situata e zjarrit në Mallakastër vijon të mbetet alarmante, ndërsa gjatë mbrëmjes është konstatuar zgjerim i vatrës së zjarrit drejt zonës së Ngraçanit.
Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, bëri me dije se përpjekjet për shuarjen e flakëve janë vështirësuar ndjeshëm për shkak të terrenit të thyer kodrinor, erës së fortë, temperaturave të larta dhe masivit me pisha, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit.
Sipas tij, gjatë ditës në operacion kanë qenë të angazhuara rreth 110 forca në terren, por pavarësisht ndërhyrjes intensive, flakët kanë vijuar të përhapen.
“Ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë kodrinor, erës së fortë, temperaturave të larta dhe bimësisë me pisha që favorizon përhapjen e flakëve. Sot kanë operuar rreth 110 forca në terren, por pavarësisht kësaj kemi përhapje në Ngraçan. Forcat do të vijojnë monitorimin e situatës gjatë natës, ndërsa nesër në orën 05:30 do të rifillojë ndërhyrja nga ajri”, deklaroi Ismailaj.
Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa monitorimi i vatrave do të vijojë gjatë gjithë natës për të parandaluar rrezikun ndaj zonave të banuara.




