Policia e Vlorës reagon për vdekjen e turistas gjermane në Palasë: Dyshohet arrest kardiak

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka reaguar pas lajmeve të publikuara në media lidhur me humbjen e jetës së një shtetaseje gjermane në Palasë, duke sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Sipas Policisë, rreth orës 11:45 të datës 30 korrik 2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane me inicialet M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore. Pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, ajo nuk mundi të mbijetojë.
Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se bëhet fjalë për një vdekje natyrale, pasi 33-vjeçarja dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak.
Policia bën me dije se menjëherë pas marrjes së njoftimit janë kryer të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë kompetente për vijimin e procedurave, ndërsa Policia thekson se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me procedurat standarde dhe legjislacionin në fuqi.




