Haki Çako nga Mallakastra: Zjarri është vënë nën kontroll, mbi 120 forca dhe dy helikopterë vijojnë operacionin

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, ishte sot në zonën e përfshirë nga zjarri në Bashkinë e Mallakastrës, ku dha një përditësim mbi situatën dhe operacionin për shuarjen e flakëve.
Çako deklaroi se zjarri, i cili prej afro tre ditësh ka përfshirë një masiv pyjor me pisha në territorin e Mallakastrës, është aktualisht nën kontroll, falë angazhimit të gjerë të strukturave vendore dhe qendrore.
“Prej rreth dy ditësh janë angazhuar kapacitete dhe forca nga të gjitha strukturat vendore, bashkia, prefektura, shërbimi i mbrojtjes nga zjarri, shërbimi pyjor, si dhe Forcat e Armatosura. Aktualisht kemi mbi 120 forca në terren që po operojnë në një zonë me shtrirje të gjerë dhe të vështirë. Po punohet edhe nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore,” u shpreh Çako.
Sipas tij, operacioni po drejtohet në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe do të vijojë deri në shuarjen e plotë të zjarrit.
Një lajm pozitiv, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, është se deri më tani nuk janë raportuar dëme në banesa.
“Prioritet absolut kanë qenë banorët. Falë ndërhyrjes së koordinuar dhe angazhimit edhe të forcave vullnetare të zonës, kemi arritur të mbrojmë zonat e banuara. Synimi ynë mbetet minimizimi i dëmeve në sipërfaqen pyjore,” tha ai.
Çako theksoi se është ende herët për të bërë një bilanc të dëmeve në pyje, pasi vatrat mbeten ende aktive. Vlerësimi i plotë do të kryhet vetëm pas shuarjes së plotë të zjarrit, për të përcaktuar sipërfaqen e dëmtuar dhe për të nisur rehabilitimin e zonës.
Ai bëri të ditur gjithashtu se strukturat e emergjencave civile do të vazhdojnë operacionet edhe në vatrën tjetër problematike, atë të Delvinës.
“Në Mallakastër dhe Delvinë janë angazhuar forca të shumta vendore dhe qendrore, përfshirë Forcat e Armatosura, avionin Air Tractor, helikopterët dhe ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me qëllim vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarreve,” përfundoi Haki Çako.




