Aksident në rrugën Sarandë–Ksamil, përplasen tre automjete! Dy turistë spanjollë të plagosur, njëri dërgohet me urgjencë te Trauma

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Sarandë–Ksamil, ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë, dy turistë spanjollë kanë mbetur të plagosur, ndërsa njëri prej tyre është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Të plagosurit janë 24-vjeçari Jove Pibrall Jove dhe 37-vjeçarja Catia Picac, të cilët ndodheshin në Sarandë për pushime.
Sipas burimeve nga bluzat e bardha, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime më të rënda. Pasi mori ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës, ai u transportua me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Ndërkohë, 37-vjeçarja ka pësuar dëmtime në kokë dhe vijon të marrë trajtim mjekësor në Spitalin e Sarandës.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi në aksin Sarandë–Ksamil u bllokua për disa minuta, ndërsa shërbimet e Policisë ndërhynë për normalizimin e trafikut dhe po vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.




