Sherri në burgun e Fierit/ Kush janë të përfshirët, përplasja mes Bajrit dhe rivalëve dhe çfarë dihet deri tani

FIER – Detaje të reja janë zbardhur pas konfliktit të regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier, ku janë përfshirë disa të burgosur, mes tyre Denis Brajoviç, i njohur si Denis Bajri, Jurgen Zoto dhe Aldo Gjini.
Sipas informacioneve të bëra publike, konflikti ka ndodhur në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit dhe dyshohet se ka nisur pas një debati të momentit. Të tre personat njiheshin me njëri-tjetrin dhe, sipas raportimeve, kishin pasur edhe marrëdhënie të mira më herët.
Gjatë përplasjes janë përdorur edhe sende rrethanore dhe Denis Bajri dhe Jurgen Zoto kanë mbetur të plagosur, duke marrë ndihmë mjekësore fillimisht në spitalin e burgut dhe më pas në Spitalin Rajonal të Fierit. Ndërkohë, Aldo Gjini është futur në izolim pas incidentit.
Në pamjet e siguruara nga ngjarja shihet momenti kur njëri prej të burgosurve shoqërohet nga ambientet e spitalit drejt ambulancës, nën masa sigurie.
Kush janë personat e përfshirë?
Denis Brajoviç, i njohur si Denis Bajri, është emri më i njohur mes personave të përfshirë në konflikt. Ai është lidhur në raportimet e mëparshme me grupin “Bajri” dhe ndodhet në burg në kuadër të një hetimi të SPAK.
Brajoviç është akuzuar nga SPAK në lidhje me hetimet për vrasjen e Gjin Ndojit, ngjarje e ndodhur në Shkodër në vitin 2020. Emri i tij është përfshirë edhe në dosjen e njohur si “Metamorfoza”.
Në anën tjetër të përplasjes është Jurgen Zoto, i cili, sipas të dhënave të bëra publike, ndodhet në burg i akuzuar për “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Ndërsa Aldo Gjini është identifikuar si personi tjetër i përfshirë në konflikt dhe është raportuar si pjesë e grupit të Rrajave. Pas përplasjes, ai është futur në izolim.
Sipas informacionit të deritanishëm, konflikti dyshohet se ka nisur pas një debati të momentit, ndërsa nuk ka ende një konfirmim zyrtar se përplasja ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me konfliktet mes grupeve rivale jashtë burgut.
Një tjetër informacion i bërë publik nga burimet e burgjeve është se Jurgen Zoto ka goditur i pari Denis Bajrin, duke nisur përplasjen mes tyre.
Hetimet pritet të përcaktojnë dinamikën e plotë të ngjarjes, arsyen e debatit dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore, personat e plagosur janë rikthyer në ambientet e burgut, ndërsa ndaj të përfshirëve pritet të merren masat përkatëse.
Rrethanat e plota të konfliktit mbeten ende objekt hetimi.




