“PO DIGJET KRUJA!” – Situatë dramatike në qytet, flakët gjigante përparojnë drejt banesave, digjen disa prej tyre
Situata paraqitet tejet dramatike në Krujë, ku flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara, duke rrezikuar seriozisht banesat dhe qytetarët.
Sipas raportimeve të qytetarëve , zjarri ka dalë jashtë kontrollit në disa zona dhe flakët kanë përfshirë edhe banesa. Banorët raportojnë për një situatë të rëndë, ndërsa frika është shtuar teksa zjarri vijon të afrohet me zonat e banuara.
“Po digjet qyteti!”, ishte thirrja dëshpëruese e një qytetari që kontaktoi me redaksinë e BalkanWeb, duke përshkruar situatën alarmante në terren.
Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni i vështirë, po përparojnë drejt banesave, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje urgjente, ndërsa në zonat e rrezikuara është përhapur paniku për shkak të afërsisë së flakëve me banesat. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuim të zonave të Barabit dhe Llubanë.
Njoftimi nga Bashkia
Urdhër për evakuim të menjëhershëm në zonën Barabit–Lluban, Bashkia Krujë
Në zbatim të Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës Barabit–Lluban, në Bashkinë Krujë.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë.
Për realizimin e evakuimit do të angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore.
???? U bëjmë thirrje banorëve të zonës Barabit–Lluban të ndjekin me përparësi udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave gjatë procesit të evakuimit.




