Krujë/ “Faleminderit për sakrificën dhe përkushtimin!”, Hita vlerëson efektivët e Policisë pas betejës me zjarret

Në Krujë u zhvillua sot një takim me rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit, të angazhuar në përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga zjarri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, falënderoi efektivët për guximin, profesionalizmin dhe sakrificën e treguar gjatë operacionit.
“Faleminderit për sakrificën, përkushtimin dhe shërbimin tuaj!”, u shpreh Hita, duke vlerësuar veçanërisht faktin se, pavarësisht përmasave të zjarrit dhe afërsisë me qytetin, nuk pati humbje jete dhe asnjë banesë nuk u përfshi nga flakët.
Efektivët e Policisë, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura, punuan në vijën e parë të zjarrit, ndërsa ndërhynë edhe për evakuimin e banorëve në kushte tejet të vështira.
Në dispozicion të operacionit u vunë edhe autobotet dhe mjetet ujëhedhëse të Policisë së Shtetit, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për frenimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe banesave.




