Ardian Çapja kërkoi leje nga burgu për varrimin e nënës – si i mbijetoi atentatit me snajper në 2020

I dënuar me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja ka kërkuar leje për të dalë nga qelia dhe për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të nënës së tij.
Emri i Çapjas është prej vitesh i njohur për autoritetet dhe lidhet me një prej historive më të bujshme kriminale në Elbasan. Në 8 qershor 2020, ai u bë objekt i një atentati me snajper pranë banesës së tij.
Çapja u qëllua në mëngjes, ndërsa ndodhej në banesë. Plumbi e kapi në shpatull dhe, sipas raportimeve të kohës, kaloi shumë pranë zemrës. Pas plagosjes, ai u dërgua fillimisht në Spitalin e Elbasanit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Pas disa orësh në sallën e operacionit, Çapja arriti të dilte jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet e asaj kohe ngritën dyshimet se atentatori e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe kishte zgjedhur një pozicion të përshtatshëm për të realizuar qitjen. Sipas burimeve të raportuara atëherë, snajperisti dyshohej se ishte pozicionuar në një servis pranë banesës së Çapjas, në një distancë prej rreth 150 metrash.
Pas atentatit, autorët u larguan nga zona, ndërsa policia nisi hetimet për identifikimin e tyre dhe zbardhjen e rrethanave dhe motivit të sulmit.
Gjashtë vite më pas, emri i Ardian Çapjas rikthehet në vëmendje, këtë herë pas kërkesës së tij për të marrë leje nga burgu për të marrë pjesë në varrimin e nënës së tij.




