Rrushi i bollshëm, por pa fitim/ Çmimi bie në 70 lekë për kilogram, fermerët e Libofshës paralajmërojnë kalbjen në vreshta

LIBOFSHË – Prodhim i bollshëm dhe cilësi e mirë, por çmim i ulët në treg. Ky është shqetësimi i fermerëve të Libofshës, të cilët këtë sezon po përballen me një rënie të ndjeshme të çmimit të rrushit.
Sipas fermerëve, aktualisht rrushi po u ofrohet rreth 70 lekë për kilogram, një çmim që, sipas tyre, nuk mbulon kostot e prodhimit. Plehrat kimike, karburanti dhe fuqia punëtore janë rritur ndjeshëm, duke e bërë të vështirë që prodhimi t’u sigurojë fermerëve një fitim.
Fermerët shprehen se situata është veçanërisht zhgënjyese këtë vit, pasi prodhimi është i bollshëm dhe cilësia e rrushit është e mirë.
“Unë disponoj një sipërfaqe prej 1 hektarësh dhe prodhoj mbi 50 ton rrush të një cilësie shumë të mirë. Vitin e kaluar e shitëm me një çmim të mirë në tregun e huaj dhe atë vendas, ndërsa këtë vit çmimi nuk justifikon as shpenzimet. Subvencionet nuk kanë vlerë dhe pikat e grumbullimit bëjnë lojë. Shteti duhet të kontrollojë pikat e grumbullimit, që rrushi të mos përfundojë si bostani dhe të kalbet në vreshta”, u shpreh fermeri Dritan Meço.
Kultivimi i rrushit në Libofshë është zgjeruar vitet e fundit, me shumë fermerë që kanë kaluar nga drithërat te vreshtat, duke parë potencialin e kësaj kulture në zonë. Eksperienca e fituar edhe nga puna në shtetin fqinj ka ndikuar në rritjen e interesit për kultivimin e rrushit.
Por këtë vit, sipërfaqet më të mëdha dhe prodhimi i bollshëm nuk po shoqërohen me të ardhura të kënaqshme.
Fermerët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe kontrollin e pikave të grumbullimit, duke paralajmëruar se nëse çmimi mbetet në këto nivele, një pjesë e prodhimit mund të mbetet pa u shitur dhe të përfundojë duke u kalbur në vreshta.
Ata kërkojnë një treg më të qëndrueshëm dhe masa konkrete për mbështetjen e prodhuesve, në mënyrë që investimet e bëra ndër vite në vreshta të mos shkojnë dëm.




