Ksamil/ Rrezikuan të mbyteshin në det, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare shpëtojnë 5 turistë suedezë
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në Ksamil ka shpëtuar 5 turistë suedezë, të cilët rrezikuan të mbyteshin në det.
Gjatë patrullimit në hapësirën detare të Ksamilit, efektivët konstatuan një pedalon me 5 shtetas të huaj në bord, të cilët kërkonin ndihmë pasi mjeti kishte pësuar vështirësi dhe rrezikohej të fundosej.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke u dhënë ndihmën e nevojshme, tërhequr pedalonin dhe e shoqëruar atë drejt bregut.
Të 5 turistët u nxorën në mënyrë të sigurt në breg dhe, fatmirësisht, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas shpëtimit, turistët suedezë falënderuan efektivët e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë angazhimin për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare, veçanërisht gjatë sezonit turistik.




