Në kulmin e luftës me flakët, jep dorëheqjen Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara – ende e paqartë arsyeja e largimit

Në një moment kur vendi po përballet me një situatë të rënduar për shkak të zjarreve të shumta, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.
Burime bëjnë me dije se Cara ka paraqitur dorëheqjen një ditë më parë, ndërsa ditën e sotme është firmosur edhe urdhri për largimin e tij nga detyra.
Për momentin mbetet e paqartë arsyeja që ka çuar në vendimin e Arben Carës për t’u larguar nga drejtimi i Shërbimit Zjarrfikës, ndërsa dorëheqja vjen pikërisht në kulmin e situatës së rënduar nga zjarret në disa zona të vendit.
Arben Cara ishte komanduar në krye të Shërbimit Zjarrfikës në shkurt të vitit 2024, duke zëvendësuar në këtë detyrë Holta Kominon.
Largimi i tij pritet të pasohet nga vendimi për drejtuesin e ri të Shërbimit Zjarrfikës, në një periudhë kur strukturat zjarrfikëse janë të angazhuara në terren për përballimin e vatrave të zjarrit në disa qarqe.




