Dy vite nga vdekja e 16-vjeçarit Lorenzo Çela/ Vajtimi i nënës: Dua të takohem me marrësit e organeve të djalit tim

Kanë kaluar dy vite nga aksidenti tragjik që i mori jetën 16-vjeçarit shqiptar Lorenzo Çela në Itali. Familja e tij vazhdon të përballet me dhimbjen e humbjes, ndërsa në këtë përvjetor ka rikthyer në vëmendje vendimin për dhurimin e organeve të të miturit.
Pas aksidentit të rëndë, familja e të riut, i cili kishte ëndërr të bëhej futbollist, vendosi që organet e Lorenzos të dhuroheshin, duke u dhënë mundësinë pacientëve të tjerë të vazhdonin jetën. Transplantimet u kryen natën mes 12 dhe 13 gushtit 2024, në Spitalin Civil të Brescias.
Dy vite më pas, nëna e 16-vjeçarit ka bërë publike një dëshirë të veçantë. Ajo kërkon të njohë personat që sot jetojnë falë organeve të djalit të saj.
“Sot do të doja të shprehja një dëshirë dhe t’u kërkoja marrësve të organeve të djalit tim Lorenzo, edhe pse është pothuajse e pamundur, që të takoheshim”, shkruan ajo në një postim të publikuar së fundmi në rrjetet sociale.
Për familjen, dhurimi i organeve është një mënyrë që Lorenzo të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj bote, edhe pse jeta e tij u ndërpre në mënyrë tragjike në moshën vetëm 16-vjeçare.
Edhe xhaxhai i të riut ka ndarë një mesazh prekës në kujtim të tij, duke e përshkruar si një djalë të dashur dhe shumë të rëndësishëm për familjen.
“Ti ishe djali që të gjithë donin, ti ishe dashuria e familjes sonë. Tani në familjen tonë ka vetëm heshtje dhe errësirë. Xhaxhai të do si gjithmonë”, shkruan ai.
Aksidenti fatal ndodhi në gusht të vitit 2024, në rrugën Via Mantova, në zonën mes Lonato dhe Castiglione delle Stiviere. Lorenzo ndodhej në automjet së bashku me të dashurën e tij dhe nënën e saj kur u përfshinë në aksident.
I riu pësoi dëmtime të rënda dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte.
Sot, dy vite pas tragjedisë, familja vazhdon ta kujtojë Lorenzon përmes kujtimeve, ndërsa dhurimi i organeve të tij mbetet një prej gjurmëve më të forta që ai la pas.




