Policia jep detaje zyrtare për arrestimin e të dyshuarit për vrasjen në Ksamil
Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare lidhur me arrestimin e 29-vjeçarit S. V., i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit francez në Ksamil.
Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi u krye rreth 5 orë pas ngjarjes, në aksin rrugor “Levan-Fier”, pas koordinimit të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
29-vjeçari u kap nga shërbimet operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Forcën “Shqiponja” të DVP Fier, në një pikë të përbashkët kontrolli të ngritur për kapjen e tij.
Sipas Policisë, i dyshuari ishte fshehur në bagazhin e një automjeti, i cili drejtohej nga një 31-vjeçare, shtetase turke. Në automjet ndodhej edhe një 38-vjeçar, shtetas turk.
29-vjeçari dhe dy shtetasit turq janë shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe zbardhjen e saj.




