Fier – 1,076 masa administrative dhe 7 procedime penale gjatë kontrolleve rrugore
Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse të qytetit, me përdorimin e pajisjeve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë javës së fundit janë proceduar penalisht 7 shtetas. Një prej tyre është arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa 4 drejtues janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Dy të tjerë janë proceduar për përfshirje në aksidente rrugore.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese janë vendosur gjithsej 1,076 masa administrative, konkretisht:
- 888 për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe autostradën A2;
- 17 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
- 9 për përdorim të celularit gjatë drejtimit;
- 44 për parakalim të gabuar;
- 11 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit;
- 107 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.
Gjithashtu, janë sekuestruar 4 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier apelon drejtuesit e mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, për të rritur sigurinë në rrugë dhe për të mbrojtur jetën e shëndetin e të gjithë përdoruesve të rrugës.




