Fier/ Tërhoqi qenin me litar pas automjetit, procedohet penalisht 62-vjeçari

Pas publikimit në rrjetin social “JOQ” të një videoje ku shfaqej një automjet duke tërhequr me litar një qen, Policia e Fierit ka nisur menjëherë verifikimet për identifikimin e drejtuesit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë identifikuar dhe shoqëruar shtetasin H. G., 62 vjeç, banues në fshatin Dërmenas.
Sipas Policisë, nga verifikimet rezultoi se 62-vjeçari kishte lidhur me litar një qen në pjesën e pasme të automjetit dhe e kishte tërhequr atë gjatë lëvizjes.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj 62-vjeçarit për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Njoftim i DVP FIER:
Pas publikimit në rrjetin social “JOQ” të një videoje, në të cilën shfaqet një automjet duke tërhequr me litar një qen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë nisur menjëherë verifikimet për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesit të automjetit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë i mundur identifikimi dhe shoqërimi i shtetasit H. G., 62 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier.
Nga verifikimet rezultoi se shtetasi H. G. ka tërhequr me automjetin e tij një kafshë shtëpiake (qen), të lidhur me litar në pjesën e pasme të automjetit.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj këtij shtetasi, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.




