Fier/ 11 punonjës të rinj i bashkohen Policisë së Shtetit, takim me drejtuesit e DVP Fier

11 punonjës të rinj janë emëruar në strukturat e Policisë së Shtetit në Fier, në pozicionin “Patrullë e Përgjithshme”.
Me rastin e nisjes së detyrës, ditën e sotme në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier u zhvillua një takim me punonjësit e rinj, ku morën pjesë Drejtori i DVP Fier, Drejtues Erion Ahmeti, zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, Kryekomisar Taulant Gjoka, shefi i Personelit dhe specialisti i trajnimeve.
Gjatë takimit, drejtuesi i DVP Fier, Erion Ahmeti, u shprehu 11 punonjësve të rinj mbështetjen dhe inkurajimin për nisjen e rrugëtimit të tyre profesional në radhët e Policisë së Shtetit.

Ai theksoi se detyra e uniformës blu nuk është thjesht një profesion, por një mision dhe përgjegjësi e lartë në shërbim të qytetarëve, veçanërisht në garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike.
Drejtuesi Ahmeti u kërkoi punonjësve të rinj që detyrën ta ushtrojnë me përkushtim, ndershmëri, integritet dhe profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe duke vendosur qytetarin në qendër të punës së tyre.

Në përfundim të takimit, drejtuesit e DVP Fier u uruan 11 punonjësve të rinj suksese në detyrën e tyre dhe siguruan mbështetjen e strukturave drejtuese gjatë gjithë rrugëtimit të tyre profesional në Policinë e Shtetit.




