Aksidenti i djeshëm në bypass-in e Fierit përfundon në tragjedi, humb jetën 19-vjeçari nga Kurbini

Aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e djeshme në dalje të bypass-it të Fierit, pranë Spitalit Memorial, në zonën e mbikalimit të Spitalit Memorial, ka përfunduar me një viktimë.
Indrit Shyti, 19 vjeç, nga Kurbini, drejtuesi i automjetit tip Volkswagen, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra në aksident. Fillimisht ai u transportua në Spitalin Rajonal të Fierit, ndërsa për shkak të gjendjes së rënduar u nis me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Mësohet se në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe aktualisht ndodhen në gjendje kritike shëndetësore.
Ngjarja merr një tjetër dimension tragjik pasi 19-vjeçari priste të festonte ditëlindjen pas pak ditësh. Një udhëtim i zakonshëm u kthye në një tragjedi, duke i marrë jetën të riut në një moshë fare të re dhe duke lënë pas dhimbje të madhe për familjen dhe të afërmit.
Aksidenti ndodhi rreth orës 16:50, kur Volkswagen-i doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.




