IGJEO NXJERR TABELAT/ Rrezik i lartë për zjarre në pyjet e qarkut Fier
Rreziku për përhapjen e zjarreve në pyje pritet të jetë i lartë gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në qarkun e Fierit, ndërsa në pjesën tjetër të vendit niveli i rrezikut parashikohet të jetë kryesisht i moderuar.
Instituti i Gjeoshkencave informoi sot se rrezik i lartë për zjarret në pyje pritet edhe në zona të lokalizuara të disa qarqeve.
Konkretisht, bëhet fjalë për zonat: qarku Shkodër (jugperëndim), Kukës (verilindje), qarku Dibër (jugperëndim), qarku Durrës (lindje), qarku Elbasan (lindje), qarku Berat (verilindje), qarku Korçë (jug), qarku Vlorë (perëndim) dhe qarku Gjirokastër (veri dhe jug).
Ndërkohë sot dhe nesër priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa në disa qarqe të tjera priten reshje lokalisht të dobëta.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 23 / 36 °C;
në vendet e ulëta: 21 / 37 °C; në vendet malore: 16 / 31 °C.

Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe zonat malore mund të jetë deri e fortë.




