ARRESTOHET NË DUBAI NEXHMEDIN DANAJ, I KËRKUAR NGA DREJTËSIA SHQIPTARE PËR TRAFIKIM NARKOTIKËSH

Nexhmedin Danaj, 57 vjeç, është arrestuar në Dubai me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar. Policia e Shtetit ka bërë të ditura detajet e arrestimit dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Arrestimi është kryer në kuadër të një tjetër faze të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Sipas Policisë së Shtetit, specialistët e Drejtorisë së Interpolit, në bashkëpunim me homologët e Interpol Abu Dhabit, kanë bërë të mundur arrestimin provizor të Danajt, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.
Ndaj 57-vjeçarit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Danaj dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e autoriteteve shqiptare dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Policia bën me dije se Danaj dyshohet gjithashtu se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme në disa shtete, për blerjen e lëndëve narkotike.
Pas arrestimit, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi vijojnë procedurat për ekstradimin e 57-vjeçarit drejt Shqipërisë.
Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë të ditur në njoftimin zyrtar detaje të tjera mbi rrethanat e arrestimit apo kohën e mbërritjes së tij në Shqipëri.




