“Na jep 5 milionë euro ose largohu nga Shqipëria”/ Kërcënohet pronari i hotelit “Rexhina”, Vasil Bedinaj, në Orikum, mbi 10 persona të armatosur në hotel

Orikum, Vlorë – Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e sotme në hotelin “Rexhina” në Orikum, ku është kërcënuar pronari i hotelit, biznesmeni Vasil Bedinaj.
Sipas informacioneve paraprake, mbi 10 persona, shumica prej tyre të armatosur, kanë shkuar në ambientet e hotelit dhe dyshohet se i kanë kërkuar Bedinajt shumën prej 5 milionë eurosh, duke e kërcënuar gjithashtu që të largohej nga Shqipëria.
Situata është përshkallëzuar dhe mes palëve ka pasur edhe përplasje fizike. Pas ngjarjes, personat janë larguar nga hoteli dhe janë ndjekur nga shërbimet e Policisë.
Gjatë ndjekjes, dy persona janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës. Ata janë arrestuar dhe mësohet se janë nga Tirana.
Ndërkohë, Policia ka ngritur pika kontrolli në disa akse rrugore, përfshirë edhe mbikalimin e Levanit në Fier, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e personave të tjerë të dyshuar.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.




