Vladimir Muçaj: Disa fjalë në vend të replikës me deputetin e Fierit, Erjo Mile!

Nga Vladimir Muçaj:
Kur flakët shuhen, drama e banorëve sapo ka nisur
Zoti deputet i Fierit Erjo Mile! Ashtu si ju, edhe media ka qenë pranë banorëve gjatë gjithë ditës së djeshme. Por ka një ndryshim thelbësor: ne nuk e kemi parë dramën nga larg. Kemi qenë në terren, mes banorëve të Levanit, Vadhizës dhe Peshtanit madje aty ku flakët shkrumbuan qindra hektarë ullishte, prona dhe pasuri të krijuara me vite punë e djersë. Dhe, për fat të keq, situata vijon të mbetet problematike edhe në zonën e Frakullës.
Prandaj pyetja është e thjeshtë: Pse këmbëngulni ta mohoni apo ta minimizoni atë që ndodhi dje?
Për ju, ndoshta, punishja e vogël e Barjamit mund të ketë qenë thjesht një godinë me disa dërrasa të vjetra. Por për Barjamin ajo ishte shumë më tepër se kaq. Ishte burimi i vetëm i të ardhurave të familjes së tij, vendi ku kishte punuar për më shumë se 30 vjet. Sot ajo punishte nuk ekziston më. Bashkë me të është shkrumbuar edhe një pjesë e rëndësishme e mundësisë së tij për të siguruar jetesën.
Mund të jetë e lehtë të thuhet se një objekt “nuk kishte vlerë”. Por kush mund të përcaktojë vlerën e djersës së një njeriu?
Dhe një pyetje tjetër, zoti deputet: në cilën media e dëgjuat ju lajmin se ishin djegur 10 apo 20 krerë lopë?
Media nuk ka për detyrë të shpikë shifra dhe as të ekzagjerojë ngjarjet. Detyra jonë është të raportojmë atë që shohim, atë që verifikojmë dhe atë që na dëshmojnë njerëzit në terren.
Dhe ajo që pamë dje ishte një situatë dramatike. Në minutatat e para të zjarrit ka qenë media raportues i parë duke ngritur alarmin për situatën.
Familjes Bibo iu rrezikua seriozisht jeta. Flakët iu afruan banesës, ndërsa magazina u dogj bashkë me ushqimin e bagëtive. Sot kjo familje përballet me një pyetje shumë konkrete: si do t’i mbajë gjallë bagëtitë që përbëjnë burimin e vetëm të jetesës për familjen dhe fëmijët e saj?
Kush shkoi sot t’i ndihmojë?
Kush u dha një zgjidhje?
Kush u tha se si do të vazhdojnë jetën pas asaj që humbën?
Këto janë pyetjet që presin përgjigje. Jo minimizimi i dëmeve.
Edhe një godinë e pabanuar ka vlerë. Dikush e ka ndërtuar me vite pune. Dikush ka investuar aty kursimet e familjes. Dikush ka një histori pas atij objekti. Prona nuk humbet vlerën vetëm sepse sot nuk banohet apo nuk përdoret.
Por përtej dëmeve të shkaktuara nga zjarri, ka edhe pyetje që lidhen me parandalimin.
Pse nuk flitet për kanalin e papastruar prej vitesh, për të cilin banorët thonë se u kthye në një rrugë të favorshme për përhapjen e flakëve pranë banesave? A nuk meriton edhe kjo një përgjigje?
Në vend që të minimizohet ajo që përjetuan familjet, ndoshta duhet të flitet për atë që mund të ishte bërë më shumë për ta parandaluar situatën dhe, mbi të gjitha, për atë që duhet të bëhet tani për njerëzit që kanë humbur pasurinë dhe një pjesë të jetës së tyre.
Sepse zjarri mund të shuhet me ujë, por pasojat e tij nuk shuhen brenda një nate.
Për shumë prej këtyre familjeve, sot nis një tjetër betejë: rindërtimi i asaj që humbën, sigurimi i të ardhurave, ushqimi i bagëtive, rikthimi i prodhimit dhe, mbi të gjitha, përballimi i një dëmi që nuk është thjesht ekonomik, por njerëzor.
Sa për median, zoti deputet, ne do të vazhdojmë të jemi aty ku duhet të jetë media: pranë njerëzve.
Do të vazhdojmë të raportojmë nga terreni. Do të vazhdojmë të dëgjojmë banorët. Do të vazhdojmë të verifikojmë faktet dhe të kërkojmë përgjigje.
Sepse puna e medias nuk mbaron kur shuhen flakët. Përkundrazi, aty fillon një tjetër detyrë: të mos lejojmë që drama e këtyre familjeve të harrohet.
Do të jemi përsëri pranë banorëve të katër fshatrave për të informuar në kohë reale se kur, si dhe në çfarë mase do të dëmshpërblehen për dëmet e shkaktuara nga zjarri shkatërrues i ditës së djeshme.
Sepse ata nuk kanë nevojë për deklarata që ua zvogëlojnë dhimbjen.
Kanë nevojë për përgjigje, ndihmë dhe drejtësi.




