Zjarri përfshin pisha dhe ullishte në Çërrilë të Mallakastrës, era favorizon përhapjen e flakëve
Një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha, ullishte dhe shkurre është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të diele në zonën e Çërrilës, në Mallakastër.
Zjarri ka përfshirë një zonë me bimësi dhe po përhapet me shpejtësi, i favorizuar nga era e fortë që po fryn në zonë. Kushtet atmosferike dhe terreni i thyer po e vështirësojnë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse për izolimin e vatrës.
Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse të Mallakastrës, efektivë të Policisë, si dhe banorë të zonës, të cilët janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen dhe frenimin e përhapjes së flakëve.
Terreni i vështirë për lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse e bën ndërhyrjen më të komplikuar, ndërsa prioritet i forcave në terren është izolimi i zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij drejt sipërfaqeve të tjera me bimësi.
Sipas informacionit paraprak, vatra ndodhet larg zonave të banuara dhe deri tani nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.
Ndërkohë, vijon puna për neutralizimin e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës. Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është bërë i ditur.




