Skender Hita uron Policinë e Kosovës për 27-vjetorin: Marrëdhënie vëllazërore dhe bashkëpunim për sigurinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka përcjellë urimet e tij për Policinë e Kosovës me rastin e 27-vjetorit të krijimit të saj.
Në një mesazh drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha, Hita vlerëson punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e efektivëve të Policisë së Kosovës në mbrojtje të qytetarëve dhe garantimin e rendit e sigurisë publike.
“Ky përvjetor është një moment i rëndësishëm për të vlerësuar punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e grave e burrave që shërbejnë çdo ditë në mbrojtje të qytetarëve dhe në garantimin e rendit e sigurisë publike”, thuhet në mesazhin e urimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit thekson gjithashtu rëndësinë e Policisë së Kosovës në sigurinë e vendit dhe në forcimin e bashkëpunimit policor mes dy institucioneve.
“Dy institucionet tona i bashkon një marrëdhënie vëllazërore, besimi dhe një angazhim i përbashkët për sigurinë e qytetarëve tanë”, shprehet Hita.
Në përfundim të mesazhit, ai u ka uruar efektivëve të Policisë së Kosovës suksese të mëtejshme në misionin e tyre, si dhe shëndet e mbarësi për ta dhe familjet e tyre.
“Gëzuar 27-vjetorin e krijimit të Policisë së Kosovës!”, përfundon mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skender Hita.




