Bojkoti i papritur paralizon pjesërisht Gjykatën e Fierit, qytetarët përballen me dyer të mbyllura
Një bojkot i papritur nga sekretarët gjyqësorë dhe administrata ka paralizuar pjesërisht aktivitetin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier.
Dhjetëra qytetarë janë paraqitur sot pranë ambienteve të gjykatës për zhvillimin e çështjeve të tyre, por janë përballur me dyer të mbyllura dhe mungesë informacioni për vijimin e proceseve gjyqësore.
Sipas burimeve nga brenda institucionit, sekretarët gjyqësorë dhe administrata kanë nisur bojkotin për shkak të mosmarrjes së pagave për muajin gusht, si dhe detyrimeve të tjera të prapambetura.
Nga bojkoti përjashtohen sekretarët që kanë të planifikuara çështje me karakter urgjent, ndërsa pjesa tjetër e aktivitetit gjyqësor është prekur nga mungesa e stafit administrativ.
Burime pranë Gjykatës së Fierit bëjnë me dije se nuk ka një afat të përcaktuar për përfundimin e bojkotit. Ndërkohë, dhjetëra qytetarë vijojnë të presin informacion mbi çështjet e tyre dhe nëse seancat e planifikuara do të zhvillohen.




