Zgjerohet bojkoti në gjykata pas ngërçit të pagave – Pas Tiranës, “paralizohet” puna edhe në Fier, Vlorë e Lushnje
Shërbimet për qytetarët dhe avokatët në gjykatat e Fierit, Vlorës dhe Lushnjës janë bllokuar mëngjesin e sotëm, pasi sekretaritë dhe administratat gjyqësore kanë hyrë në bojkot.
Për shkak të bojkotit, pjesa më e madhe e proceseve gjyqësore është pezulluar, ndërsa pritet të zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent.
Në themel të kësaj situate është ngërçi i krijuar lidhur me pagat e muajit gusht për magjistratët. Përplasja institucionale mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit ka sjellë bllokimin e çeljes së fondeve nga Thesari, duke prekur edhe pagesat e punonjësve të administratës gjyqësore.
Pas bllokimit të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës, bojkoti është shtrirë edhe në Fier, Vlorë dhe Lushnjë, duke sinjalizuar përshkallëzimin e situatës në sistemin e drejtësisë.
Punonjësit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të ngërçit dhe ekzekutimin e listëpagesave, ndërsa mbetet e paqartë se sa do të zgjasë bojkoti dhe nëse ai do të shtrihet edhe në gjykata të tjera të vendit.




