Dea Mishel reagon pas shoqërimit të Arvina Lleshit: Iris Luarasi o “ku*vë”. Po përdoret feminizmi për t’u viktimizuar

Influencerja Dea Mishel Hoxha ka reaguar ashpër pas shoqërimit nga policia të aktivistes Arvina Lleshi, pas përplasjes verbale të kësaj të fundit me deputeten e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e djeshme.
Luarasi, e cila po shkonte drejt Kuvendit për të marrë pjesë në seancën plenare, u përball me disa vajza që e filmuan me celularë dhe i drejtuan akuza të forta. Në pamjet e bëra publike dëgjohen protestueset t’i drejtohen deputetes me thirrje si: “Hajdute! Mos fol në emër të grave! Ti nuk je mbrojtësja e grave! Ti nuk i përfaqëson gratë!”
Pas shoqërimit të Arvina Lleshit nga policia, Dea Mishel ka reaguar përmes një deklarate të gjatë në rrjetet sociale, ku kritikon deputeten Luarasi dhe kundërshton mënyrën se si është interpretuar përplasja.
Ajo argumenton se akuzat dhe fjalët e përdorura nga protestueset ndaj deputetes lidhen me qëndrimet e saj politike dhe jo me faktin se ajo është grua.
Në reagimin e saj, Dea Mishel përdor edhe gjuhë të rëndë ndaj deputetes, duke e akuzuar se po e përdor feminizmin për t’u paraqitur si viktimë.
“Iris Luarasi, o kurvë. Ky është një shembull i dhunës me bazë gjinore ose, ndryshe, antifeminizmit, të sulmosh një grua, në moral, në parim. Nëse do të ishe cenuar në këtë mënyrë, si feministë, do të të mbroja dhe unë”, shprehet ajo.
Më tej, influencerja thekson se, sipas saj, dy protestueset nuk e kanë sulmuar deputeten për shkak të gjinisë, por për shkak të aktivitetit të saj politik.
“Sulmi verbal që ka ndodhur ndaj teje është tërësisht tjetër. Dy vajza që të quajtën vegël të qeverisë së korruptuar dhe hajdute, dhe nuk janë antifeministe. Ato janë dy protestuese të pakënaqura nga qeveria, ku ti bën pjesë”, vijon Dea Mishel.
Reagimi i saj ka hapur diskutime në rrjetet sociale lidhur me kufirin mes protestës politike, gjuhës së përdorur ndaj figurave publike dhe debatit mbi dhunën me bazë gjinore.




