VITI I RI SHKOLLOR NË FIER/ 25,951 NXËNËS NË BANKAT E DIJES, “PAS SHKOLLË” HAP 139 KLASA – PRINDËRIT KËRKOJNË MËSIMIN PARADITE
Viti i ri shkollor 2026–2027 ka nisur në qarkun e Fierit me 25 mijë e 951 nxënës, ndërsa 1 mijë e 811 fëmijë kanë nisur këtë vit klasën e parë.
Në të gjithë qarkun do të funksionojnë 129 shkolla 9-vjeçare, 26 shkolla të bashkuara dhe 16 shkolla të arsimit të mesëm. Në arsimin e mesëm të lartë, përfshirë gjimnazet dhe arsimin artistik, janë regjistruar 2 mijë e 393 nxënës.
Por krahas shifrave dhe programeve të reja, nisja e vitit shkollor shoqërohet edhe me problematika që lidhen me ambientet dhe organizimin e orarit mësimor.
Një prej rasteve është shkolla “Naim Frashëri” në Fier, ku prindërit e nxënësve të klasave të treta, të katërta dhe të pesta kanë shprehur shqetësimin për zhvillimin e mësimit në turnin e pasdites.
Një prej prindërve shprehet se familjet kishin shpresuar që mësimi të zhvillohej paradite, pasi orari i pasdites krijon vështirësi për prindërit që janë në punë dhe kanë edhe fëmijë të vegjël.
“Ne nuk kemi problem për ‘Pas Shkollë’. Ne kemi problem që klasat e treta, të katërta dhe të pesta kalojnë pasdite. Ne kishim mbajtur shpresat që mësimi do të bëhej paradite, ndërkohë na thonë që do të bëhet pasdite. Kjo na pengon, sepse kemi punë dhe fëmijë të vegjël. Fëmijët nuk mësojnë dot pasdite.”
Përballë shqetësimit të prindërve, ZVA Fier ka ofruar një zgjidhje të përkohshme për organizimin e programit “Pas Shkollë”, duke propozuar përdorimin edhe të ambienteve të zyrave të mësuesve.
Drejtuesja e ZVA Fier, Elona Ruko, ka sqaruar se për shkak të funksionimit të disa shkollave me dy turne, mungesa e ambienteve e vështirëson zhvillimin e aktiviteteve. Në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës është gjetur një zgjidhje e përkohshme, me synim që aktivitetet të vijojnë dhe të krijohen kushtet më të përshtatshme për nxënësit.
Ndërkohë, programi “Pas Shkollë” do të zbatohet në 47 shkolla të qarkut Fier, ku janë hapur aplikimet për 139 klasa pas përfundimit të orarit të zakonshëm mësimor.
Nxënësit e arsimit bazë do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë për ditën e nesërme, ndërsa janë krijuar 364 klube në fushën e muzikës, kërcimit, artit pamor, teatrit dhe zejeve.
Programi i mëparshëm “Art, Zeje dhe Sport” është zbatuar në 67 shkolla të rajonit, prej të cilave 38 në qarkun e Fierit.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rikthimi i gjashtë institucioneve arsimore në rajonin e DRAP Fier, pas përfundimit të rikonstruksioneve. Tre prej tyre ndodhen në qarkun e Fierit dhe kanë nisur vitin e ri shkollor në ambiente të rikonstruktuara.
Në fokus këtë vit është edhe teknologjia. Programi i kodimit në arsimin fillor “Element IT” dhe SmartLab përfshin mbi 2 mijë e 900 nxënës të klasave të para dhe 10 mijë e 935 nxënës të klasave të dyta deri në të gjashtat, në 298 shkolla publike të rajonit, prej të cilave 148 në qarkun e Fierit.
Viti i ri shkollor nis kështu me programe të reja, më shumë aktivitete dhe investime në arsim, por edhe me problematika që kërkojnë zgjidhje konkrete, veçanërisht sa i përket ambienteve, turneve dhe organizimit të orarit mësimor.




