Tiranë/ Bllokuan akset kryesore dhe prishën qetësinë publike, procedohen penalisht 20 pjesëmarrës në tubimin e 13 shtatorit

20 persona janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, në vijim të hetimeve për tubimin e zhvilluar më 13 shtator 2026 në kryeqytet, ku dyshohet se u bllokua qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve në disa prej akseve kryesore të Tiranës.
Sipas Policisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet procedurale në Prokurori, pas veprimeve hetimore për dokumentimin e veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë përfshirë 20 pjesëmarrës, të moshave nga 19 deri në 59 vjeç.
Policia bën me dije se këta shtetas dyshohet se, nëpërmjet organizimit dhe pjesëmarrjes në tubim, kanë penguar lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve, si dhe kanë prishur qetësinë publike.
Ngjarjet janë regjistruar në disa zona dhe akse të rëndësishme të kryeqytetit, konkretisht në bulevardet “Dëshmorët e Kombit”, “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta”, në sheshin “Wilson”, si dhe në rrugët “Sami Frashëri” dhe “Abdyl Frashëri”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
20 personat po procedohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.




