Mallakastër/ Finalizohet operacioni “Burimi”, arrestohet 41-vjeçari për kultivim kanabisi
Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike është goditur në Mallakastër, në kuadër të operacionit të koduar “Burimi”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër kanë arrestuar shtetasin K. L., 41 vjeç, banues në fshatin Cfir, i dyshuar për kultivimin e 80 bimëve Cannabis Sativa.
Sipas policisë, bimët narkotike ishin kultivuar në një sipërfaqe toke shtetërore, pranë tokës në pronësi të 41-vjeçarit, në fshatin Cfir.
Gjatë operacionit, pjesa më e madhe e bimëve u asgjësua me anë të djegies, ndërsa një pjesë u sekuestrua si provë materiale.
Policia vijon kontrollet në të gjithë territorin e Mallakastrës, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.




