FIER/ Kontrolle të Policisë Rrugore për mjetet që transportojnë nxënësit
Me nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027, Policia Rrugore e Qarkut Fier ka intensifikuar kontrollet ndaj mjeteve që kryejnë transportin e specializuar të nxënësve në shkollat publike dhe jopublike.
Kontrollet po zhvillohen në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë në shkolla dhe kanë për qëllim parandalimin dhe evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe garantimin e sigurisë së nxënësve gjatë transportit.
Vëmendje e veçantë i kushtohet dokumentacionit të mjeteve dhe drejtuesve, respektimit të kushteve të transportit të specializuar, përdorimit të alkoolit dhe përmbushjes së të gjitha detyrimeve ligjore nga drejtuesit e mjeteve.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Fier, me fokus parandalimin e çdo shkeljeje që mund të rrezikojë sigurinë e nxënësve.
Në të njëjtën kohë, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo parregullsi apo shkelje të konstatuar gjatë transportit të nxënësve dhe në qarkullimin rrugor, duke kontribuar në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Policia Rrugore apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për transportin e fëmijëve.




