“Do të vras po tregove”/ Rrëfimi tronditës i 34-vjeçares nga Roskoveci: Akuzon 52-vjeçarin se e rrëmbeu dhe e për*hunoi për 45 ditë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Roskovecin, ndërsa një 34-vjeçare ka bërë një rrëfim tronditës për dhunën dhe kërcënimet që, sipas saj, ka përjetuar për rreth 45 ditë nga një 52-vjeçar.
Bëhet fjalë për Merita Gremajin, e cila në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria Live” ka akuzuar Bledar Bakajn se e kishte mbajtur me forcë, e kishte dhunuar dhe përdhunuar, ndërsa e kërcënonte me vdekje nëse ajo do të tregonte për atë që po përjetonte.
Sipas 34-vjeçares, gjithçka kishte nisur pasi 52-vjeçari i kishte premtuar se do ta ndihmonte për të gjetur një vend pune, duke pretenduar se kishte njohje me persona me pozita të larta.
Gremai pretendon se në një rast ai ishte paraqitur si mjek dhe, duke përdorur një automjet, e kishte marrë nga Fier, me pretendimin se do ta çonte për vizitë mjekësore. Sipas rrëfimit të saj, ai e kishte dërguar në zonën e Levanit, ku e kishte çuar në një zonë me shkurre dhe e kishte përdhunuar.
“Do të vras po tregove”, është një prej kërcënimeve që 34-vjeçarja thotë se i ka bërë 52-vjeçari.
Ajo rrëfen gjithashtu se në një moment ai e kishte çuar në varreza dhe i kishte thënë se “aty e kishte vendin”.
Sipas Meritës, pas 45 ditësh ajo kishte arritur të largohej duke ikur nëpër ullinj dhe kanale. Me ndihmën e djalit 14-vjeçar të një të afërmi të 52-vjeçarit, ajo kishte tentuar të largohej drejt familjes së saj.
Por, sipas saj, edhe pas arratisjes situata nuk ishte zgjidhur. 34-vjeçarja tregon se kishte shkuar te babai i saj dhe i kishte kërkuar ndihmë, por ai kishte refuzuar ta fuste në shtëpi nga frika se 52-vjeçari mund ta sulmonte.
“Vete te babi, i them më vrit ti, mos të më vrasë ai. Babi nuk më pranoi në shtëpi, më mbylli derën, kishte hall se i vriste ai”, rrëfen ajo.
Ngjarja mori një tjetër përmasë një ditë më parë, kur 52-vjeçari, pavarësisht një urdhri mbrojtjeje, shkoi në banesën e 34-vjeçares dhe, sipas policisë, plagosi me mjet prerës (drapër) babain e saj.
Policia e arrestoi 52-vjeçarin në flagrancë, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza të tjera të lidhura me ngjarjen.
Në dëshminë e saj, Merita Gremai përmend gjithashtu se 52-vjeçari është daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi. Ky është një pretendim i bërë nga 34-vjeçarja në intervistë dhe nuk nënkupton përfshirjen e deputetes në ngjarje.
Rrëfimi i saj pritet të jetë pjesë e hetimeve, ndërsa autoritetet do të duhet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes dhe të verifikojnë akuzat e ngritura prej saj.




