Reagon deputetja e Fierit për rastin e dajës së saj: “Distancohem nga çdo formë dhune”

Fier – Deputetja e Partisë Socialiste për qarkun Fier, Zegjine Çaushi, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Suk 2, ku 52-vjeçari Bledar Bakaj, i identifikuar si daja i saj, u arrestua pasi dyshohet se theu urdhrin e mbrojtjes dhe plagosi me mjet prerës babain e 34-vjeçares Merita Gremaj.
Reagimi i deputetes vjen pas publikimit në media të deklaratave të 34-vjeçares, e cila ka ngritur akuza të rënda ndaj 52-vjeçarit, duke pretenduar se ai e kishte mbajtur dhe dhunuar për 45 ditë, si dhe e kishte kërcënuar me vdekje.
Në një deklaratë për mediat, Çaushi sqaron se nuk ka pasur dijeni për situatën e pretenduar dhe se për ngjarjen e fundit është informuar përmes mediave.
Deputetja tregon edhe rrethanat e takimit të saj me Bledar Bakajn dhe Meritën Gremaj në fillim të muajit qershor. Sipas saj, në atë moment Merita Gremaj i ishte prezantuar si bashkëjetuesja e Bakajt dhe situata ishte dukur normale, pasi në oborr ndodheshin edhe familjarë e fqinjë të tjerë.
Çaushi thekson se dënon çdo formë dhune dhe kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet nga institucionet përkatëse.
Më poshtë është deklarata e plotë e deputetes Zegjine Çaushi:
“Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.
Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.
Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cilin Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të ëmës.
Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: ‘E keni ndarë mendjen? Do martoheni?’
Merita Gremaj tha: ‘Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…’
‘Se mos na hapni probleme’, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit te babai. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm.
Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam lëvizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin.
Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.
Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.
Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.
Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.
Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.
Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.”**





