Fier/ Kontrollet intensive të Policisë Rrugore, 7 persona procedohen penalisht dhe 881 masa administrative në një javë
Policia Rrugore e Fierit ka intensifikuar kontrollet në akset rrugore të qarkut, në pikat hyrëse-dalëse, si dhe në rrugët urbane, interurbane dhe lokale, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Gjatë kësaj jave, në kuadër të kontrolleve të shtuara dhe monitorimit me pajisje inteligjente, janë proceduar penalisht 7 shtetas për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas Policisë, 2 drejtues mjetesh janë arrestuar në flagrancë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor të lidhura me aksidente, ndërsa 5 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë pasi janë konstatuar duke drejtuar automjete pa leje drejtimi.
Krahas procedimeve penale, kontrollet parandaluese kanë rezultuar edhe me 881 masa administrative ndaj drejtuesve të mjeteve për shkelje të ndryshme.
Nga këto, 694 masa janë vendosur për tejkalim të shpejtësisë, kryesisht në rrugët interurbane dhe në autostradën A2. Po ashtu, janë vendosur 43 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit dhe 5 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Policia ka evidentuar gjithashtu 36 raste parakalimi të gabuar, 5 raste të drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit dhe 7 raste të kryerjes së manovrave të rrezikshme.
Ndërkohë, 91 masa administrative janë vendosur për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat konsiderohen si burim potencial për aksidente.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe 5 motomjete, të cilat qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Policia Rrugore Fier bën apel për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe veçanërisht kufijtë e shpejtësisë, përdorimin e rripit të sigurimit dhe ndalimin e përdorimit të celularit gjatë drejtimit.
Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të intensifikuar në akset rrugore të qarkut, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.




