Mbërrijnë në Gjykatën e Fierit ish-kreu i Kadastrës dhe specialisti i ASHK-së, pritet njohja me masat e sigurisë
Mbërrijnë në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ish-drejtuesi i ASHK-së në Fier, E. Sh., si dhe specialisti jurist pranë ASHK-së, P. Ç., të arrestuar në kuadër të operacionit “Stolen Land”.
Dy të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës për t’u njohur me masat e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Fierit në kuadër të hetimeve për tjetërsimin dhe regjistrimin e paligjshëm të pronave.
Sipas Policisë së Fierit, hetimet kanë nisur në vitin 2025 dhe janë zhvilluar me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit. Në kuadër të operacionit “Stolen Land”, më 16 shtator janë ekzekutuar katër masa sigurie ndaj E. Sh. dhe B. K., me detyrë ish-drejtues të ASHK-së, P. Ç., specialist jurist pranë ASHK-së, si dhe K. H., i cili dyshohet se ka përfituar pronat.
Sipas hetimeve, personat dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar në pronësi të K. H. sipërfaqe toke, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre të punës dhe duke falsifikuar dokumentacionin përkatës.
Veprimet hetimore dhe ekzekutimi i masave të sigurisë janë kryer nga strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si dhe strukturat e Policisë së Tiranës dhe Vlorës.
Tashmë pritet vendimi i gjykatës lidhur me masat e sigurimit për të arrestuarit. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit.




