FIER/ Pas 5 orësh seancë, Gjykata vendos “Arrest në burg” për 3 të dyshuarit, “Arrest në shtëpi” për përfituesin e pronave.
Pas rreth pesë orësh seancë gjyqësore, Gjykata e Fierit ka përfunduar shqyrtimin e masave të sigurisë për katër personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Stolen Land”.
Në përfundim të seancës, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ertis Shehun, Bardhyl Kapajn dhe Piro Çelën.
Ndërkohë, për Kastriot Haskon është vendosur zëvendësimi i masës së sigurisë me “Arrest në shtëpi”.
Katër personat janë nën hetim për një skemë të dyshuar të regjistrimit dhe tjetërsimit të pronave përmes dokumenteve të falsifikuara. Sipas hetimeve, në qendër të dosjes është një sipërfaqe prej rreth 1,143 hektarësh tokë, e regjistruar në pronësi të Kastriot Haskos.
Sipas Prokurorisë, Hasko dyshohet se ka përdorur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në bazë të këtyre dokumenteve, toka dyshohet se është regjistruar në bashkëpronësi dhe më pas është tjetërsuar përmes shitjes.
Në dosjen hetimore dyshohet se ish-drejtuesit e ASHK-së Fier, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, së bashku me specialistin dhe juristin Piro Çela, kanë kryer veprime në kundërshtim me procedurat ligjore të regjistrimit të pronave, duke mos kryer verifikimet e nevojshme për dokumentacionin e paraqitur.
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu dyshime për ndryshimin e zërit kadastral të disa pasurive dhe për përdorimin e dokumenteve të falsifikuara gjatë procedurave të regjistrimit.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej rreth 1,143 hektarësh, si dhe një shumë prej 150 mijë eurosh.
Për katër personat rëndojnë dyshimet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Me vendimin e dhënë pas rreth pesë orësh seancë, tre prej tyre, Ertis Shehu, Bardhyl Kapaj dhe Piro Çela, do të qëndrojnë në masën “Arrest në burg”, ndërsa Kastriot Hasko do të hetohet në masën “Arrest në shtëpi”.
Hetimet për dosjen “Stolen Land” vijojnë.




