“Stolen Land”/ Gjykata e Fierit përfundon edhe masat e dyta të sigurisë, dy në burg dhe një detyrim paraqitjeje
Gjykata e Fierit ka përfunduar shqyrtimin e tre masave të tjera të sigurisë, në vijim të operacionit “Stolen Land”, i cili po hetohet nga Prokuroria e Fierit për dyshime mbi falsifikimin e dokumenteve dhe përfitimin e padrejtë të pronave.
Pas masave të sigurisë të ekzekutuara më herët gjatë ditës së sotme, Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin edhe për tre personat e tjerë të përfshirë në këtë fazë të hetimit.
Gjykata ka vendosur:
- “Arrest në burg” për Ervin Habilajn;
- “Arrest në burg” për Ertis Shehun;
- “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për Emiljano Rukon.
Me këto vendime, përfundon shqyrtimi i tre masave të tjera të sigurisë të kërkuara nga organi i akuzës në kuadër të operacionit “Stolen Land”.
Hetimi lidhet me dyshime për falsifikim dokumentesh dhe përfitim të padrejtë të pasurive, ndërsa në fokus janë edhe procedurat e ndjekura për regjistrimin dhe tjetërsimin e pronave në zonën e Fierit.
Ertis Shehu është ish-drejtor i ASHK-së Fier, ndërsa Emiljano Ruko ka ushtruar detyrën e topografit pranë këtij institucioni.
Prokuroria e Fierit vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të dyshuara dhe për përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë në çështje.




