“MUZAK FEST” mbyll edicionin e dytë në Apoloni, një mbrëmje kushtuar rrënjëve, kujtesës dhe trashëgimisë
APOLONI – Parku Arkeologjik i Apolonisë u shndërrua mbrëmjen e djeshme në skenën e edicionit të dytë të “Muzak Fest”, një festë që ndërthur artin me historinë dhe rikthen në vëmendje rrënjët, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore.
I organizuar nga Bashkia Fier, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, edicioni i dytë mblodhi në Apoloni artistë të njohur, personalitete të artit e kulturës dhe artdashës nga Fieri dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Në një prej siteve më të çmuara të trashëgimisë kulturore kombëtare, “Muzak Fest” u zhvillua këtë vit në formatin e një mbrëmjeje gala, ku poezia, muzika dhe interpretimi artistik u ndërthurën me historinë mijëravjeçare të Apolonisë.
Programi artistik solli në skenë emra të njohur të artit shqiptar. Rajmonda Bulku, Dritan Boriçi, Andia Xhunga dhe Myzafer Zifla i dhanë zë fjalës poetike, ndërsa moderimi iu besua Kristian Koroveshit, i cili përcolli publikun përmes momenteve të ndryshme të mbrëmjes.
Një tjetër dimension festivalit i dha Vlashent Sata, i cili përmes muzikës dhe interpretimit të tij krijoi një atmosferë të veçantë në hapësirën monumentale të Apolonisë, duke bashkuar tingullin bashkëkohor me frymën poetike dhe historike të festivalit.
Monumentet e Apolonisë, të integruara në konceptin skenik dhe të ndriçuara posaçërisht për eventin, u bënë pjesë e rrëfimit artistik, duke krijuar një dialog mes artit të sotëm dhe trashëgimisë së mijëra viteve.
Në mbrëmje ishin të pranishëm edhe emra dhe personalitete të njohura të artit dhe kulturës shqiptare, mes tyre Pëllumb Kulla dhe Xhuljeta Kulla, si dhe përfaqësues e figura të jetës kulturore.
Për mediat u shpreh edhe Adriana Mile, drejtoresha e Artit dhe Kulturës në Bashkinë Fier, e cila vuri në dukje rëndësinë e këtij aktiviteti dhe vizionin për ta shtrirë festivalin edhe në hapësira të tjera të trashëgimisë kulturore të Bashkisë Fier.
Sipas saj, “Muzak Fest” synon të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes artit dhe monumenteve të trashëgimisë, duke i kthyer këto hapësira në skena të gjalla kulturore dhe duke sjellë në vëmendjen e publikut pasuritë historike të territorit.
Edhe në këtë edicion, “Muzak Fest” synoi të shkonte përtej konceptit të një aktiviteti të zakonshëm artistik. Festa lindi për të krijuar një marrëdhënie të gjallë me trashëgiminë, për të rikthyer vëmendjen te rrënjët dhe historia jonë, por edhe për të përcjellë përgjegjësinë që kjo pasuri të ruhet, të vlerësohet dhe t’u transmetohet brezave që vijnë.
Një festë e kujtesës, një testament kulturor dhe një mënyrë për të treguar nga vijmë, cilat janë rrënjët tona dhe çfarë zgjedhim të lëmë pas.
Me edicionin e dytë mbyllet edhe cikli i parë i “Muzak Fest” në Apoloni.
Vizioni është që në edicionet e ardhshme festivali të zgjerojë hartën e tij dhe të udhëtojë drejt monumenteve dhe hapësirave të tjera të trashëgimisë kulturore në territorin e Bashkisë Fier.
Në këtë mënyrë, “Muzak Fest” synon të kthehet çdo vit në një ftesë për të zbuluar një tjetër pasuri të Fierit, duke i dhënë jetë përmes artit vendeve që mbajnë historinë dhe identitetin e këtij territori.




