E rëndë, mësuesi 31-vjeçar humb jetën tragjikisht

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Dibër, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike teksa peshkonte në lumin Setë.
I riu është identifikuar si Ervis Kaloshi. Sipas dyshimeve paraprake, 31-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike ndërsa ndodhej duke peshkuar në lumë së bashku me disa shokë. Për pasojë, ai ka humbur jetën në vend.
Ervis Kaloshi kishte punuar prej vitesh si mësues në disa shkolla të zonës së Dibrës. Së fundmi, ai jepte mësim në shkollën 9-vjeçare Grykë-Nokë.
Pas lajmit të rëndë kanë reaguar edhe kolegët dhe Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Dibër, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e mësuesit të ri.
“Ndarje nga jeta e një mësuesi të nderuar! Me hidhërim të thellë mësuam lajmin tragjik për ndarjen nga jeta në një moshë shumë të re të mësuesit Ervis Kaloshi.
Për vite me radhë ka punuar si mësues i shumë shkollave të Dibrës, ku vitet e fundit ka qenë mësues në shkollën 9-vjeçare Grykë-Nokë, duke përcjellë dije, dashuri dhe vlera njerëzore tek brezat e rinj. Kontributi dhe përkushtimi i tij do të mbeten të gdhendura në kujtesën e kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Dibër i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe nxënësve për këtë humbje të dhimbshme. U prehtë në paqe dhe kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!”, thuhet në reagimin e ZVA Dibër.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar dhimbje te familjarët, miqtë, kolegët dhe nxënësit që e kanë njohur 31-vjeçarin.




