Sarandë/ Policia e Shtetit ngre grup të posaçëm pas ngjarjes së rëndë: Rivlerësim i drejtuesve dhe strukturave të Komisariatit

Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e 20 shtatorit 2026 në qytetin e Sarandës, ndërsa hetimet për zbardhjen e saj vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
Pas analizës së zhvilluar një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit me drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë, është urdhëruar ngritja e një grupi të posaçëm me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike.
Grupi i posaçëm do të kryejë një rivlerësim të plotë dhe të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, drejtuesit e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat hetimore.
Në fokus do të jetë edhe performanca e të gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe e efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Policia njofton se, në bazë të rezultateve të këtij vlerësimi, do të ndërmerren edhe veprimet përkatëse.
Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat do të mbështeten edhe me bazën e nevojshme logjistike.
Sa i përket ngjarjes së 20 shtatorit, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive për zbardhjen e plotë të saj. Hetimet po zhvillohen në koordinim me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren.
Policia e Shtetit deklaron se mbetet e angazhuar për identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.




