Ndihma juridike falas, qindra qytetarë marrin shërbim në 9 muaj në Fier – kërkesa të shumta për çështjet e pronësisë
Qindra qytetarë në Fier kanë përfituar gjatë 9 muajve të fundit nga shërbimet e ofruara nga Qendra e Shërbimit Juridik Parësor në Fier. Çdo ditë, në qendër paraqiten rreth 10 qytetarë, të cilët kërkojnë asistencë juridike, orientim apo ndihmë për problematika që lidhen me shërbimet dhe institucionet shtetërore.
Krahas kërkesave për orientim dhe asistencë juridike për çështje gjyqësore, 60 qytetarë kanë përfituar nga shërbimi juridik falas, i cili përfshin avokatin, ekspertët dhe shpenzimet gjyqësore.
Ky shërbim u ofrohet qytetarëve që i përkasin shtresave në nevojë dhe kategorive vulnerabël, ndërsa shërbimet e tjera të qendrës, si orientimi, plotësimi i dokumentacionit dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve me ndërmarrjet apo zyrat e administratës, ofrohen për të gjitha kategoritë e popullsisë.
Një nga fushat me numrin më të lartë të kërkesave është pronësia. Qytetarët kërkojnë ndihmë për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, veçanërisht për pajisjen me certifikata pronësie, por edhe për çështje pronësie që janë tashmë në proces gjyqësor.
Adelina Agolli, nga Qendra e Shërbimit Juridik Parësor në Qarkun Fier, shpjegon se në shumë raste specialistët e qendrës kanë ndërmjetësuar edhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes qytetarëve dhe shoqërive shtetërore.
Ndër problematikat e trajtuara janë edhe rastet që lidhen me OSHEE-në dhe Ujësjellës-Kanalizimet, ku qytetarët kërkojnë orientim dhe ndihmë juridike për zgjidhjen e problematikave dhe ndjekjen e procedurave përkatëse.
Shërbimi juridik falas synon t’u mundësojë qytetarëve akses në drejtësi dhe mbështetje ligjore, veçanërisht në rastet kur ata nuk kanë mundësi financiare për të përballuar kostot e një avokati apo të një procesi gjyqësor.




