SPAK godet me masa të reja: në hetim drejtuesja e SHISH, arrestohen dy persona, kontroll edhe për ish-kreun e Policisë

SPAK ka ndërmarrë një tjetër seri veprimesh hetimore në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, duke ekzekutuar masa sigurimi ndaj tre personave dhe duke kryer kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21 shtator 2026, ka caktuar masa sigurimi ndaj tre personave.
Ndaj Vlora Hysenit, me detyrë drejtuese në Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), është caktuar masa “arrest në shtëpi”, e shoqëruar me “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Ajo është nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Në të njëjtin vendim, Gjykata e Posaçme ka caktuar “arrest në burg” për Fatjon Kallucin, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin e Policisë Shkencore. Ai është nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
Masa “arrest në burg” është caktuar edhe ndaj Embro Sulejmanit, punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i cili është nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Sipas SPAK, vendimet i janë dërguar Policisë së Shtetit dhe dy prej masave janë ekzekutuar.
Kontroll banese për ish-funksionarin e lartë të Policisë
Hetimet janë shoqëruar edhe me kontrolle të tjera.
Me vendimin nr. 618, datë 20 shtator 2026, Gjykata e Posaçme ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të Ilir Prodës, ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, me vendimin nr. 619, datë 21 shtator 2026, gjykata ka autorizuar kontrollin e kompleksit të vilave në zonën e Shkozetit, Durrës, në kryqëzimin e rrugës “Durrësi në Shekuj” me rrugën “Bajram Tusha”.
SPAK ka bërë të ditur se këto veprime janë kryer në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025 dhe ka falënderuar Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës.
SPAK sqaron se hetimet vijojnë.
Sqarim: Të gjithë personat e përmendur në këtë njoftim prezumohen të pafajshëm deri në vërtetimin e fajësisë së tyre me vendim gjyqësor të formës së prerë.




