Fier/ Zjarret dogjën toka bujqësore dhe ullishte, arrestohen dy persona, një tjetër procedohet në gjendje të lirë
Tre persona janë identifikuar nga Policia e Fierit si të dyshuar për zjarrvënie në disa zona të qarkut Fier, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar dhe një tjetër po procedohet në gjendje të lirë.
Pas njoftimeve për disa vatra zjarri në territorin e qarkut Fier, strukturat e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me DVP Fier, kryen veprime të shpejta hetimore dhe operacionale, duke bërë të mundur identifikimin e tre personave të dyshuar.
Në pranga kanë rënë:
- Pëllumb Zgurati, 66 vjeç, i dyshuar për zjarrvënien në fshatin Ade, Fier;
- Durim Kapaj, 62 vjeç, i dyshuar për zjarrvënien në fshatin Kashisht, Fier.
Ndërkohë, Dorian Muhametaj, 35 vjeç, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, i dyshuar si autor i zjarrvënies në fshatin Drizë, Fier.
Sipas hetimeve, përhapja e zjarreve dyshohet se ka shkaktuar dëmtime në sipërfaqe të pyllëzuara, toka bujqësore, pemë frutore dhe ullishte. Gjithashtu, zjarret kanë krijuar rrezik për banesat dhe objektet pranë zonave të përfshira nga flakët, veçanërisht në Drizë dhe në zonën e Apolonisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.




