Arrestohen në Rusi dhe Itali dy persona të kërkuar nga Shqipëria, pjesë e rrjeteve kriminale ndërkombëtare

Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me Interpol Moskën dhe Interpol Romën.
Gjatë operacionit janë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të dyshuar ose të dënuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kalimit të paligjshëm të emigrantëve.
Në Rusi është arrestuar S. A., 51 vjeç, ndaj të cilit në qershor 2026, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për trafikim narkotikësh, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Në Itali është arrestuar Alok Mittra, 47 vjeç, i dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Posaçme me 15 vjet burgim për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, falsifikim dokumentesh dhe vepra të lidhura me grupin e strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, Mittra ishte pjesë e një grupi kriminal që gjatë një periudhe 6-mujore, në vitet 2023-2024, organizoi kalimin e paligjshëm të kufirit për rreth 253 shtetas nga Bangladeshi, kundrejt pagesave.
Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai dhe pajiseshin me kontrata pune fiktive, me qëllim marrjen e lejeve të qëndrimit. Pas pajisjes me dokumentacion, ata vijonin udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas autoriteteve, gjatë këtij aktiviteti kriminal, Alok Mittra merrej me shoqërimin, transportimin dhe akomodimin e shtetasve të huaj.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Moskë dhe Romë, vijon procedurat për ekstradimin e dy shtetasve drejt Shqipërisë.




