Gjykata e Fierit lë në burg mësuesin e arrestuar për ngacmim seks*ual ndaj nxënëses
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Madrid Sulën, i arrestuar dhe i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ngacmim seksual”, “Shpërdorim detyre” dhe “Pornografia”.
Vendimi u dha sot, më 1 tetor 2026, nga gjyqtari Noel Veizi, gjatë një seance gjyqësore me dyer të mbyllura.
Gjykata vendosi fillimisht vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personit nën hetim M.S., ndërsa më pas caktoi ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Në seancë, Prokuroria e Fierit u përfaqësua nga prokurori Skerdi Sinanaj, ndërsa i arrestuari u mbrojt nga avokatja Rozeta Plaku.
Sipas vendimit të gjykatës, Madrid Sula dyshohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 108/a, pika 2, 248 dhe 117, pika 3, të Kodit Penal.
Gjykata ngarkoi Prokurorinë e Fierit, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore, me ekzekutimin e vendimit.
Vendimi i gjykatës është marrë në kuadër të hetimit penal dhe nuk përbën shpallje fajësie.




