Arrestohen 3 persona për zjarrvënie në Fier dhe Lushnjë, njëri rrezikoi zonën pranë Apolonisë
Tre persona janë arrestuar nga Policia në Fier dhe Lushnjë, pasi dyshohet se kanë shkaktuar zjarre në toka dhe prona private, duke rrezikuar banesa, sera dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Në Fier, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan Daniel Durajn, 31 vjeç, banues në fshatin Pojan, i dyshuar për zjarrin e ndezur një ditë më parë në tokën e tij.
Sipas Policisë, zjarri, për shkak të erës, është përhapur me shpejtësi dhe ka rrezikuar banesa dhe sipërfaqe të mëdha toke në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Ndërkohë, në Lushnjë janë arrestuar Agim Stafa, 56 vjeç, dhe Dragol Guga, 49 vjeç, për dy raste të tjera zjarrvënieje.
Stafa dyshohet se ka ndezur zjarr në servisin e tij. Si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur pjesë automjetesh dhe pemë ulliri në pronën e një shtetasi tjetër.
Ndërsa Guga, banues në fshatin Golem, dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij për djegien e mbeturinave. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke djegur sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe kanale vaditëse, si dhe duke rrezikuar disa sera në afërsi.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, vatrat e zjarrit janë shuar dhe nuk janë shkaktuar dëme në banesa apo persona.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore apo përdorimin e zjarrit për pastrimin e tokave, pasi flakët mund të përhapen në mënyrë të pakontrolluar dhe të rrezikojnë jetën, pronën dhe mjedisin.




