Ministri i Brendshëm Ervin Demo mbledh drejtuesit e Policisë së Shtetit: Fokus te siguria dhe goditja e kriminalitetit

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit në qendër dhe në qarqe, ku në fokus ka qenë situata e sigurisë në territor dhe prioritetet e punës së strukturave policore.

Gjatë takimit është diskutuar për problematikat e sigurisë në secilin qark, si dhe për nevojën e forcimit të pranisë së Policisë në terren. Ministri Demo ka kërkuar angazhim të vazhdueshëm dhe reagim profesional ndaj çdo forme të paligjshmërisë, duke vendosur në fokus parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve i është kushtuar edhe zbatimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla. Strukturave të Policisë u është kërkuar angazhim i plotë për garantimin e sigurisë së nxënësve, jo vetëm brenda ambienteve shkollore, por edhe në hapësirat përreth tyre.

Ministri Demo ka kërkuar gjithashtu që drejtuesit e Policisë të jenë drejtpërdrejt të angazhuar në terren, të njohin nga afër problematikat e zonave që mbulojnë dhe të ndjekin në mënyrë të vazhdueshme shqetësimet e qytetarëve.

Shërbimi ndaj qytetarëve, komunikimi korrekt dhe me respekt, si dhe adresimi në kohë i problematikave, u cilësuan si elementë thelbësorë për forcimin e besimit të publikut te Policia e Shtetit.

Takimi vjen në kuadër të forcimit të koordinimit të strukturave policore në të gjithë vendin dhe përcaktimit të prioriteteve për punën në terren, me synim rritjen e sigurisë dhe reagimin sa më të shpejtë ndaj problematikave të evidentuara.





