Drejtori i Policisë: Krimet e rënda dhe vjedhjet me dhunë janë ulur me 50% në Shkodër

SHKODËR – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Policisë së Shkodrës, ku ishte i pranishëm edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo.
Gjatë takimit, Hita kërkoi forcimin e masave parandaluese dhe goditëse ndaj grupeve kriminale, personave që qarkullojnë me armë ose lëndë narkotike, si dhe ndaj trafikantëve të emigrantëve të paligjshëm.

Sipas tij, krimet e rënda, plagosjet dhe vjedhjet me dhunë janë ulur me rreth 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Pavarësisht kësaj statistike, krimet kundër personit, kryesisht ato të mbartura nga vitet e kaluara, janë probleme që kërkojnë angazhim maksimal dhe profesionalizëm”, deklaroi Hita.

Një tjetër fokus ishte lufta kundër kultivimit të kanabisit. Drejtori i Policisë tha se qasja duhet të jetë te goditja e organizatorëve dhe financuesve, dhe jo vetëm te asgjësimi i bimëve pasi ato janë mbjellë.

Sipas të dhënave të paraqitura në takim, gjatë këtij viti janë asgjësuar rreth 122 mijë fidanë narkotikë pa u mbjellë, ndërsa në të njëjtën fazë të vitit të kaluar ishin asgjësuar rreth 8500 fidanë.
Hita u ndal edhe te siguria në shkolla, duke kërkuar masa për sigurinë rrugore, ushqimore dhe kibernetike, si dhe goditjen e çdo tentative për shitjen e lëndëve narkotike pranë ambienteve shkollore.
Në takim u theksua gjithashtu nevoja për etikë dhe profesionalizëm më të lartë nga punonjësit e Policisë, veçanërisht për shkak të numrit të madh të vizitorëve dhe turistëve që frekuentojnë Shkodrën.

“Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve, për të zbatuar ligjin dhe për të goditur këdo që e shkel atë, pa dallim. Kjo është detyra dhe përgjegjësia jonë”, u shpreh Hita.
Në përfundim, dy punonjës të strukturave të Policisë në Shkodër u vlerësuan me certifikata “Për shërbime të dalluara”, të dorëzuara në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme.




